“Çmenduria” e Interit për Antonio Conten

13/06/2017 00:00

Nga e mërkura, Luciano Spalleti nis detyrën e tij të re, si trajner i Interit. Por, ish-tekniku i Romës nuk ishte zgjedhja e parë e drejtuesve zikaltër dhe nëse zgjedhja e parë do të kishte pranuar propozimin e tyre e priste një kontratë marramendëse, në shifra dhe afat kohor.

Mediat sportive italiane kanë publikuar detajet nga bisedimet mes drejtuesëve të Interit dhe trajnerit të Chelsea-t, Antonio Conte.

Sipas tyre, propozimi fillestar ka qenë një kontratë 3-vjeçare dhe 12 milionë euro pagë në sezon. Conte e vlerësoi interesimin, por e refuzoi atë dhe këtu ndikoi edhe këmbëngulja e Abramovich për vazhduar me trajnerin që riktheu titullin kampion në Stamford Bridge.

Diego Simeone ishte një tjetër alternativë, por në ditët kur argjentinasi firmosi dhe premtoi besnikëri Atletikos së tij, zikaltërit nisën ofensivën e dytë drejt Londër.

Këtë herë oferta ishte  akoma më joshëse, si nga ana financiare, ashtu edhe nga ana menaxheriale.

Sipas asaj që shkruan Corriere Dello Sport, Jindong Zhang i ofroi ish-trajnerit të Juventusit dhe kombëtares italiane një kontratë 10-vjeçare më një përfitim neto në fund të saj prej 120 milionë eurosh.

Për të përforcuar më shumë ofertën dhe duke njohur karakterin e trajnerit, që nga Juventusi u dorëhoq për çështjen e merkatos së lojtarëve, “Zikaltër” menduan një tjetër ndryshim në strukturën drejtuese.

Kjo do të thotë që nëse Conte do të ishte sot trajner i Interit, ndryshe nga kolegët e tij në Serinë A, do të ishte fuqiplotë në çështjet e blerjes dhe shitjes së lojtarëve, ngjashëm si Ferguson tek Manchester United e Venger tek Arsenali.

Top Channel