Shkarkimet, ikin dy drejtorë burgjesh dhe dy të OSHEE; kallëzohet sekretari i MAS

12/06/2017 00:00

Ministri i Drejtësisë, Gazmend Bardhi ka shkarkuar këtë të hënë nga detyra drejtorët e burgjeve të Vlorës dhe Fushë Krujës.

Në një njoftim për shtyp të MD thuhet se shkarkimi i drejtorëve Bashkim Habilaj dhe Albert Malaj ka si motivacion braktisjen e detyrës dhe keqmenaxhimin e institucioneve përkatëse.

Konkretisht, drejtori i burgut të Vlorës është shkarkuar pas informacioneve të marra nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve se pa asnjë arsye ligjore nuk është paraqitur në detyrë prej disa ditësh, veprim që përbën shkeje dhe është penalisht e dënueshme.

Ndërsa drejtori i Fushë Krujës nuk ka menaxhuar në mënyrë efikase stafin, duke shkaktuar mungesa të pajustifikuara dhe përmes mosveprimit ka lejuar futjen në ambjentet e burgut të sendeve të ndaluara, nga celularët tek pijet alkoolike.

Po sot, vijon njoftimi për shtyp, ministri Bardhi ka urdhëruar emërimin e drejtuesve të rinj të sistemit të burgjeve, konkretisht të nëndrejtorit të përgjithshëm dhe drejtorëve në Tropojë, Burrel, Fier, Rrogozhinë, Lezhë, Vlorë dhe Fushë Krujë; si dhe drejtuesit e Zyrave Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Durrës, Shkodër e Sarandë.

Ndërkohë, administratori i OSHEE-së, Haki Mustafa ka urdhëruar pezullimin e dy punonjësve të kompanisë, me motivacionin e pjesëmarrjes në fushatë zgjedhore.

Ata janë drejtori i operatorit për rajonin e Elbasanit, Bukurosh Maçi dhe shefi i agjencisë së OSHEE Pukë, Ndue Nikolli. Ata janë zëvendësuar tashmë nga drejtues të komanduar, Alfred Mitro dhe Admir Uruçi.

Ndërsa ministrja e Arsimit Mirela Karabina paditi në prokurori sekretarin e përgjithshëm të këtij dikasteri, Plarent Ndreca.

Ministrja teknike e akuzon Ndrecën për shkelje të rënda ligjore jashtë kompetencave të funksionit të tij, duke cënuar veprimtarinë e ministrisë gjatë procesit të Maturës Shtetërore 2017. Ministrja Karabina ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të Ndrecës nga detyra.

Top Channel