Fushata në Kosovë, premtime për ekonominë

08/06/2017 00:00

Përpara zgjedhjeve të 11 qershorit, partitë në Kosovë i kanë fokusuar tek ekonomia ofertat e tyre politike drejtuar qytetarëve të lodhur nga premtimet boshe.

Më shumë se 9 vite nga shpallja e Pavarësisë, – thotë Reuters, – gati një e treta e popullatës në vend është e papunë, ndërsa paga mesatare llogaritet te 300 eurot. Rritja ekonomike, megjithatë, mbetet e fortë falë remitancave nga jashtë, të cilat përbëjnë gati 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Ramush Haradinaj, kandidati për kryeministër i koalicionit parazgjedhor PDK-AKK-Nisma, ka propozime konkrete.

“Nëse investojmë në energji, në termocentrale, mos harroni se hapim mijëra vende pune që tani, edhe gjatë ndërtimit. Industrinë e metaleve duhet ta aktivizojmë, janë burimet tona. Nuk mundet ta bazojmë zhvillimin ekonomik vetëm përmes taksave ndaj sipërmarrësve e prodhuesve tanë”, shprehet Ramush Haradinaj.

Agron Bajrami, kryeredaktori i gazetës “Koha Ditore” thotë për “Reuters” se, një muaj nuk mjafton që partitë politike të përgatiten për zgjedhjet.

“Sa më pak që njerëzit u besojnë politikanëve, aq më të mëdha bëhen premtimet prej tyre. Këto zgjedhje janë tepër të shpejta, të parakohshme. Asnjëra prej partive nuk ka pasur kohë apo vullnet, që të hartojë programe, të cilat në detaje do të mund të shpjegonin sesi arrihet një rritje ekonomike e tillë”, tha Agron Bajrami.

Gjatë fushatës kanë vërshuar premtimet për rritje ekonomike prej 8 për qind dhe rritje e pagave të sektorit publik deri në 40%. Megjithatë ka mjaft të rinj që e shohin të ardhmen me pesimizëm.

“Po do të largohesha. Me të mbaruar studimet do të shpresoja të gjeja një punë, por këtu te ne nuk ka”, tha Arnold Tafoshi, student informatike.

Fushata për zgjedhjet e parakohshme në Kosovë u caktua për vetëm 10 ditë. Në zgjedhje janë regjistruar 5 koalicione, 19 parti politike dhe dy nisma qytetare, ndërsa elektorati numëron rreth 1.9 milionë votues.

Top Channel