Destinacioni, Kosovë. Nga Manastiri i Deçanit, te Parku i aventurave

06/06/2017 00:00

Edhe Kosova po i kthen sytë nga turizmi, si potencial i zhvillimit të ekonomisë së vendit. Turizmi i aventurës, ai etnokulturor janë pikat e forta, me të cilat synohet tërheqja e vizitorëve.

Manastiri i Deçanit është vetëm 12 kilometra larg Pejës. Monument unik, pjesë e Kishës ortodokse serbe në Kosovë. Nga viti 2004, ai ka hyrë në listën e “UNESCO”-s si pasuri e njerëzimit. Njëkohësisht, manastiri është nën mbrotjen e trupave të KFOR-it.

Kisha është bizantine, por ka edhe elementë të arkitekturës romane, e konsiderohet si më e madhja në Ballkan në përbërje të një manastiri. Ajo daton nga mesi i shekullit të XIV. Filmimet janë rreptësisht të ndaluara, por brenda mund të shijosh afreskun më të madh bizantin të Mesjetës, që ndodhet në Ballkan dhe që është ruajtur deri më sot.

Në Gjakovë mund të vizitosh të fashmen lagje “Çarshi” dhe tregun artizanal, kurse Prizreni ofron për turistët një numër të madh atraksionesh. Qyteti gati 2.000-vjeçar ndërthur pjesë të ndryshme të qytetërimeve që ka kaluar. Dëshmi janë kishat katolike, ortodokse – njëra prej të cilave në listën e “UNESCO”-s, xhamitë dhe teqetë. Shoqatat turistike po organizohen që të ketë bashkëpunim mes Shqipërisë dhe Kosovës, e produktet e përbashkëta janë një ide e mirë.

“Ka shumë mundësi, andej dhe këtej kufirit, në verë e në dimër. Jam duke folur për turizëm gjatë të gjithë vitit”, thotë Bekim Bytyqi, udhërrëfyes në Prizren.

“Në të kaluarën kanë munguar ofertat dhe ndërgjegjësimi i turistit shqiptar sa i përket Kosovës”, thotë Albion Idrizi, “Gearsup Solutions”.

Eksplorimi i natyrës është ajo që në të vërtetë mund t’i japë një shtysë të madhe turizmit në Kosovë. Këtu, ndryshe nga Shqipëria, pushteti lokal ka më shumë juridiksion përsa i përket turizmit.
Në bashkëpunim me shoqatat sportive është hapur shpella e Radacit, në një prej vendburimeve më të mëdha të Drinit të Bardhë.

“Kjo është një shpellë e re dhe ka shumë zbukurime, siç i patë edhe vet. Ka stalaktite dhe stalagmite, që iu ofrojnë turistëve një ndjenjë të papërshkrueshme, e pse jo një aventurë e adrenalinë shumë më të mirë sesa në vende të tjera”, tha Melisa Bojku, udhërrëfyese nga shpella e Radacit.

Prane Pejës ndodhet “Parku i aventurave”, ku mund të praktikosh sporte që lidhen me natyrën, ndërsa rrugës drejt Rugovës për të gjithë ata që ushtrojnë “hiking” gjendet një “via ferrata” mjaft interesante, e ndërtuar nga alpinistë italianë në vitet 2000. Interesant është “zip line” më i gjatë në Ballkan, i certifikuar nga autoritetet zvicerane.

Histori, kulturë, natyrë dhe sporte të aventurës janë ato që mund të gjesh në Kosovë, prandaj mbahuni fort dhe përjetoni emocione.

Top Channel