F1, Wolff e pranon: Mercedesi, jo favorit për titullin

06/06/2017 00:00

Në Botërorin e Formulës 1 të këtij viti kanë ndryshuar hierarkitë, pasi është skuderia Ferrari që po shfaqet më mirë, teksa kryeson këtë kampionat si për pilotë, ashtu edhe për konstruktorë.

Këtë situatë e pranon edhe vet Toto Wolff, i cili deklaroi se Mercedesi këtë radhë nuk është pretendenti kryesor për të fituar titullin.

“Është e dhimbshme, por nuk jemi ne favoritët për triumfin në Botërorin e Formulës 1 të këtij viti”, tha Wolff. “Në këtë moment, ai që e ka këtë rol është Ferrari”.

Pas 6 garave të para, Sebastian Vettel ka 3 fitore kundrejt dy të Hamiltonit dhe një të Bottas, një situatë që në këtë moment konfirmon deklaratën e Toto Wolff. Një deklaratë kjo, që mund të jetë bërë për të shtuar edhe më shumë presionin te rivalët italianë, të cilët duket se janë në pozita krejtësisht të barabarta me gjermanët.

“Me rregullat e reja, suksesi i mëparshëm nuk përputhet me rendimentin aktual. Kemi një makinë shumë të mirë që na dha mundësinë të fitojmë 3 nga 6 garat e para, por ka pasur edhe situata shumë më të komplikuara, në krahasim me vitet e mëparshme”, vijoi Wolff.

Ndalesa e radhës në Formulën 1 është këtë fundjavë, në Montreal të Kanadasë, dhe Wolff theksoi se pret një garë interesante, pasi – sipas tij, – kjo pistë i përshtatet karakteristikave të pilotëve të Mercedesit, Lewis Hamilton e Valtteri Bottas.

Top Channel