Gola shqiptarë në Turqi

02/06/2017 00:00

Sulmuesi i kombëtares shqiptare të futbollit Sokol Cikalleshi i rikonfirmoi trajnerit të kuqezinjve Gianni De Biasi se është në formë optimale për provat e këtij muaji.

Bomberi arriti të shënojë sërish me fanelën e Akhisar në kampionatin turk, duke firmosur epilogun e sezonit me një rrjetë ndaj Kardemir Karabukut në një ndeshje që gjithsesi u regjistrua me humbjen 2-3 të vendasve.

Cikalleshi shënoi në minutën e 9 duke kaluar në avantazh Akhisarin ndaj rivalëve, por nuk mundi të evitonte humbjen finale. Ky ishte goli i 7 i futbollistit nga Kavaja me fanellën e ekipit ku luan që prej janarit. Akhisari e mbylli këtë sezon në vendin e 7 të renditjes, me 13 pikë distancë nga zona që të çonte në Europë.

Shënoi gjithashtu gol edhe sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi për formacionin e Gencelebirligi në takimin ndaj Kasimpasa. Futbollisti kosovar u bë protagonist me rrjetën me kokë në fund të pjesës së parë, e vetmja në të gjithë 90 minutëshin.

Top Channel