Përmbarimi bllokon llogaritë e Vllaznisë

29/05/2017 00:00

Vllaznia ka siguruar mbijetesën në një finale dramatike me Tiranën, por megjithatë klubi kuqeblu mbetet ende larg shkëlqimit të dikurshëm, kur konkuronte denjësisht në nivelet më të larta për Kupa e Trofe, ndërkohë që edhe problemet në aspektin administrativ nuk mungojnë.

SuperSport shkruan për një urdhër-sekuestrimi nga përmbarimi në të cilën konstatohet se Vllaznisë i janë bllokuar të gjitha llogaritë për një detyrim të papaguar prej rreth 76 mijë Eurosh në drejtim të Gea Sport, kompanisë zvicerane që mori për pajk kohë drejtimin e klubit por u largua më pas mes shumë polemikash e një përballjeje në gjykatë.

Në Arbitrazh, Gea Sport i është njohur e drejta e një dëmshpërblimi prej rreth 76 mijë Eurosh nga ana e Vllaznisë, detyrim i papaguar cka ka bërë që në klubin shkodran të trokasë me një vendim të formës së prerë përmbarimi duke bllokuar edhe llogaritë bankare të klubit.

Natyrisht që një problem i tillë pritet të zgjidhet me pagimin e shumës në fjalë nga Vllaznia, por kjo sekoestro konservative është vetëm prova e fundit se administrimi i klubit nga Bashkia mbetet vërtet problematik, dhe Vllaznisë i duhet të nisë rrugën e privatizimit të klubit si e vetmja mënyrë për të kërkuar suksesin edhe në aspektin sportiv për t’ju rikthyer lavdisë së dikurshme.

Top Channel