Fitorja e Vettel, e orkestruar nga Ferrari? Wolff: Nuk e besoj

29/05/2017 00:00

Pas Çmimit të Madh të Montecarlos në Formula 1 pati zëra që thonin se Ferrari favorizoi Sebastian Vettel, duke “orkestruar” fitoren e gjermanit përballë shokut të skuadrës, finlandezit Kimi Raikkonen.

Ky i fundit udhëhoqi garën e së dielës deri në ndalesën e parë në “pit stop”, kur finlandezi duket se iu përgjigj ndalesave të shpejta të Max Verstappen dhe Valtteri Bottas, por Ferrari duket se lejoi Vettelin disa xhiro më shumë në pistë. Duke garuar për 5 xhiro në pistë, pa shqetësimin e ndonjë rivali, gjermani i Ferrarit mundi të regjistronte disa xhiro të shpejta, duke i mundësuar atij të rikthehej në pistë, pas ndalesës së parë, përpara Raikkonen.

Por drejtuesi i Mercedesit, Toto Wolff ka hedhur poshtë të tilla sugjerime.

Edhe vet gjermani Vettel mohoi që ky këmbim të ishte planifikuar më herët për të forcuar shpresat për titull. Ndërkohë, rivali i tij Lewis Hamilton, i cili gjendet tashmë 25 pikë i shkëputur nga Vettel në renditjen e pilotëve, beson se “është e qartë” që Ferrari ka zgjedhur Vettelin në luftën për titull të këtij sezoni të Formula 1.

Gjithsesi, Wolff thotë se Ferrari nuk kishte si ta dinte se një strategji e tillë do të ishte e garantuar që do të funksiononte.

“Nuk ka qenë aspak e qartë sesi do të performonin gomat”, shpjegon Wolff. “Ata duhej të fusnin një nga dy pilotët në pit stop, sepse gomat super të buta nuk ishin mjaftueshëm të shpejta në fillim. Sebastian arriti të regjistronte disa xhiro të shpejta me gomat e përdorura super të buta, duke i dhënë atij avantazhin përkundrejt Kimi Raikkonen. Gjithsesi, nuk besoj se kjo ishte e planifikuar, edhe pse në fund të ditës rezultoi diçka pozitive për skuderinë dhe për renditjen e pilotëve. Asgjë nuk mund të orkestrohej”.

Për Mercedesin, kjo garë ishte për t’u harruar, me Bottas që përfundoi i katërti dhe Hamilton i shtati, nga vendi i 13 që u nis.

Top Channel