Në pritje të fituesit të Kupës e pjesëmarrësit në Europa League

28/05/2017 00:00

Kategoria Superiore uli siparin e një sezoni kontrovers me rezultate të dyshimta, arbitrime deri në kufijtë e skandalit dhe shumë akuza mes klubeve dhe FSHF-së. Por mbeten ende pak verdikte për të ulur siparin e futbollit shqiptar, kur pritet finalja e Kupës së Shqipërisë, e në varësi të fituesit të saj edhe pjesëmarrësi në Europa League.

Kukësi mori titullin dhe për herë të parë, ashtu siç festoi në stadiumin e Gjirokastrës, do të impenjohet në turin e dytë paraeliminator në Champions League. Dilemat e rënies morën fund me verdiktin e bujshëm të stadiumit “Loro Boriçi”, ku Tirana preku fundin për herë të parë në histori, por bardheblutë kanë gjithsesi një mundësi që të fitojnë një trofe, edhe pse do të ishte shumë pak për t’u përballur me zhgënjimin e skajshëm të tifozëve bardheblu.

Më 31 maj, ekipi kryeqytetas do të luajë në “Elbasan Arena” në finalen e Kupës kundër Skënderbeut. Korçarët, që së bashku me Partizanin e kanë siguruar tashmë turin paraeliminator në Europa League, do të synojnë të paktën të marrin trofeun e dytë për nga rëndësia, pas dështimit për titullin. Por nuk janë vetëm këto dy ekipe të përfshira në llogari.

Luftëtari do të bëjë tifo për “Ujqërit e dëborës” në finale, pasi në rast suksesi të Skënderbeut, gjirokastritët si forcë e katërt e kampioantit do të luajnë në Europë. Kontrast i dhimbshëm, ndërkohë, për 24 herë kampionët e vendit. Tirana, nëse fiton Kupën do të luajë në Europa League, por llogaritë do t’i bëjë nga një kategori inferiore dhe jo nga elita e futbollit shqiptar.

Top Channel