Manaj nuk bind, Interi do ta huazojë sërish

27/05/2017 00:00

Pas paraqitjeve që bëri si i huazuar te Pisa në Serie B, sulmuesi shqiptar Rey Manaj duket se nuk i ka bindur drejtuesit e Interit për ta rikthyer lojtarin te ziklatrit. Sulmuesi 20-vjeçar, i cili ka kontratë me ziklatrit deri në vitin 2020 do të huazohet sërish, për të patur mundësi aktivizimi.

Ofertat për të nuk kanë munguar kurrë, që nga ekipet e Serisë A, por edhe në kategoritë më të ulëta në futbollin italian, megjithatë drejtuesit e Interit nuk dëshirojnë të nxitohen për të marrë vendimin e duhur.

Në fillim të sezonit 2016-2017 Manaj u huazua te Pescara, ku u aktivizua në 13 ndeshje në total, në një rast në Kupën e Italisë, duke shënuar dy gola. Ndërsa te Pisa në Serinë B regjistroi 17 takime e dy finalizime, por kontributi i tij nuk mjaftoi për të shmangur rënien në Lega Pro.

Janë 30 ndeshje në total mes Serisë A dhe B, rreth 1684 minuta në fushë, statistika të pranueshme për një 20-vjecar, në sezonin e tij të parë i huazuar.

Manaj do të kthehet formalisht tek Interi, ku nuk do të qëndrojë gjatë, pasi brenda qershorit pritet të mësojë destinacionin e tij të ri. Nuk përjashtohet mundësia që ta vijojë karrierën jashtë Italisë po në formë huazimi.

Top Channel