Samiti i NATO-s, aleancë ushtarake kundër ISIS

25/05/2017 00:00

Donald Trump takoi udhëheqësit e BE-së përpara samitit me krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të NATO-s. I pari që e priti ishte presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk.

Trump, që ka shprehur rezerva ndaj vlerave të bllokut gjatë fushatës dhe pati përshëndetur me të madhe “Brexit”-in, është përballuar me thirrjet e udhëheqësve europianë që ta vazhdojë mbështetjen amerikane ndaj integrimit të kontinentit të vjetër.

Pas takimit, Tusk tha se kanë gjetur pika të përbashkëta sa i takon dhunës së militantëve dhe Ukrainës.

“Kam ndjesinë se jemi pajtuar në shumë fusha. Pikë së pari rreth luftës kundër terrorizmit. Por, disa çështje mbeten të hapura, siç janë ndryshimet klimatike dhe tregu. Po kështu, nuk jam 100 për qind i sigurtë se kemi qëndrime të njëjta mbi Rusinë. Edhe për konfliktin ukrainas jemi në një mendje”, tha Donald Tusk, president i Këshillit të BE-së.

Kërkesa e parë e Donald Trump ndaj NATO-s, ndërkohë, e ka marrë “dritën jeshile”. Aleanca e Atlantikut verior është e gatshme për aktivizim në koalicionin anti-ISIS, të drejtuar nga Amerika, dhe në samit kjo do të vendoset zyrtarisht.

Për Sekretarin e Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, ky është “një mesazh i fortë politik”. Me këtë, aleanca demonstron, sipas tij, unitet në luftën kundër terrorizmit.

Më konkretisht për NATO-n, një angazhim i tillë nënkupton zgjerim të misioneve të avionëve të përgjimit, “AWACS”, që ngrihen nga Turqia për të vrojtuar hapësirën mbi Siri e Irak. Tani ato do të jenë më gjatë në misione të tilla, si për të furnizuar në ajër avionët e koalicionit, ashtu edhe për të drejtuar avionët e koalicionit anti-ISIS.

Temë qëndrore e axhendës mbetet edhe ajo e shpenzimeve ushtarake, bisedimet mbi të cilën, sipas ekipit të Trump kanë për të qenë të vështira. Ankesa e madhe e tij ndaj anëtarëve të NATO-s lidhet me faktin se kanë paguar më pak për mbrojtjen, sesa 2 përqindëshi i prodhimit kombëtar, mbi të cilin është rënë dakord me kohë.

Top Channel