Botërori i Rusisë, Putin garanton organizim perfekt

24/05/2017 00:00

Rusia është në rrugën e duhur për një organizim sa më të mirë të Kupës së Konfederatave dhe Botërorit të 2018-s. Kjo është ajo që ka deklaruar presidenti Vladimir Putin, gjatë një takimi me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino.

Në kuadër të përgatitjeve për këto dy kompeticione të rëndësishme të futbollit botëror, Moska mundësoi lehtësimin e procedurës së dhënies së vizave për tifozët nga vende të ndryshme të botës, si dhe ka investuar miliarda dollarë për stadiumet, hotelet dhe infratruktura të tjera.

E gjitha kjo po ndodh në një moment, kur qeveria ruse po përpiqet të përmirësojë imazhin e saj, raportet e së cilës me vendet e Perëndimit janë në krizën më të thellë që nga Lufta e Ftohtë.

“Do të bëjmë gjithçka kemi në dorë për të mundësuar që ambientet, akomodimi, kushtet e stadiumeve dhe shërbimet për sportistët e tifozët të jenë në nivelet më të larta të mundshme”, tha Putin në takimin me Infantinon.

Takimi i kreut të Kremlinit dhe atij të qeverisë së futbollit botëror u zhvillua në qytetin e Krasnodarit, që ndodhet në jug të Rusisë dhe që ka një prej impianteve më modernë në kampionatin rus të futbollit.

Infantino e vlerësoi punën e bërë në stadiumin e Krasnodarit dhe iu bëri apel tifozëve të të gjithë botës, që të udhëtojnë drejt Rusisë për të ndjekur Kupën e Konfederatave dhe Botërorin, si dhe për të vizituar një vend të jashtëzakonshëm.

Top Channel