Zoran Zaev shprehet i kënaqur me dinamikën e bisedimeve të krijimit të qeverisë. Ai sqaroi se, diskutimet me krerët e partive shqiptare janë në fazën e ndarjes së ministrive, ku sipas kreut socialdemokrat mbetet shumë e rëndësishme cilësia e emrave të propozuar.

Kjo e fundit, sipas “Radios Europa e Lirë”, do të jetë edhe çështja përfundimtare e hedhur në tryezë. Burime të brendshme thonë se, e gjithë maratona e negociatave mund të marrë fund brenda javës.

Pas kësaj, Zaev mund ta kalojë në Parlament propozimin e përbërjes së qeverisë së re dhe ligjvënësit mund ta votojnë javën që vjen.

Së bashku me 3 partitë shqiptare, sociademokratët kontrollojnë 67 nga 120 vendet e Parlamentit. Zaev e ka bërë të qartë se qëllimi tij, si personi i mandatuar me formimin e ekzekutivit, është të përfshijë të gjitha partitë që siguruan nënshkrimet për marrjen e mandatit.

“Mundësitë janë të hapura për të gjitha partitë dhe besoj se, edhe shanset e tyre drejt nesh janë të hapura. Qëllimi im është ashtu siç thashë, të gjitha partitë nënshkruese të jenë pjesë e qeverisë”, ka deklaruar ai.

Në mesin e kushteve të vendosura nga partitë shqiptare, e të konsideruara të pranueshme edhe prej tij, është integrimi në NATO dhe BE, sundimi i së drejtës dhe shtetit ligjor, zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit, vendime konsensuale, përgjegjësia e qeverisë etj.

Zaev pritet të zhvillojë edhe një takim me kreun e Lëvizjes Besa, për të marrë edhe qëndrimin e kësaj partie lidhur me pjesëmarrjen apo jo në qeverinë e ardhshme.

Top Channel