Nis gjyqi ndaj ish-presidentes koreano-jugore. E akuzuar për korrupsion

23/05/2017 00:00

Ish-presidentja e Koresë së Jugut, Park Guen-hye është vetëdeklaruar e pafajshme në gjyqin ndaj saj, ku ajo akuzohet për korrupsion, në shfaqjen më të fundit të rënies së saj dramatike nga pushteti.

Presidentja e rrëzuar përballet me akuza për korrupsion, abuzim me pushtetin dhe zbulim të sekreteve shtetërore.

Në daljen e parë publike të saj, që nga arrestimi në mars, ajo mbërriti në gjykatë me pranga, e shoqëruar nga policia. Dënimi maksimal për korrupsion në Korenë e Jugut është burgimi i përjetshëm.

Park Guen-hye akuzohet se ka bashkëpunuar me miken e saj, Choi Soon-sil, për t’iu marrë parà disa prej kompanive më të mëdha të Koresë së Jugut, përfshirë “Samsung”-un, në këmbim të favoreve politike.

Choi Soon-sil, që përballet gjithashtu me akuza, u ul në krah të ish-presidentes në fillim të gjykimit dhe, ashtu sikurse ajo, i mohoi akuzat.

Ndërsa gjyqi nisi në Seul, avokatët e ish-presidentes thanë se nuk kishte pasur arsye, që presidentja të detyronte kompanitë të dhuronin parà, që ajo nuk do të mund t’i përdorte për vete. Ish-presidentja përballet në total me 18 akuza, me aktpadinë që – sipas medies koreano-jugore, – përbëhet nga plot 120 mijë faqe.

Prokurorët thonë se, ajo ka lejuar miken e saj të përdorë lidhjet e saj presidenciale për t’u bërë presion kompanive që t’i jepnin parà një fondacioni që kishte ngritur ajo, duke i siguruar kështu dhjetëra e miliona dollarë.

Në këmbim, kompanive do t’iu ofroheshin favore nga qeveria. Park akuzohet edhe për zbulim të sekreteve shtetërore, duke i siguruar mikes së saj qasje në punën e vet. Park Guen-hye është udhëheqësja e tretë koreano-jugore që gjykohet për korrupsion, por e para e zgjedhur në mënyrë demokratike. Dy rastet e mëparshme kanë të bëjnë me ish-diktatorë ushtarakë, të burgosur për korrupsion në vitet ’90.

Top Channel