Trump për myslimanët: Dëboni terroristët nga tokat tuaja

21/05/2017 00:00

Presidenti amerikan, Donald Trump gjatë fjalimit të tij në Arabinë Saudite u përpoq të sqaronte se SHBA nuk është në luftë me Islamin, ndërsa betejën me grupet terroriste e përkufizoi si një betejë mes të mirës dhe së keqes.

“Kjo s’është një betejë mes feve të ndryshme, mes sekteve apo qytetërimeve të ndryshme. Kjo është një betejë mes kriminelëve barbarë që duan të shkatërrojnë jetën njerëzore dhe njerëzve që mirë që duan ta mbrojnë atë”, tha Trump.

Duke ju larguar retorikës islamofobike që me raste përdori gjatë fushatës, Trump foli kundër ideologjisë politike dhe militante të ekstremizmit islamik dhe terrorizmit islamik. Ai nuk përdori termin islami radikal duke i dërguar sinjale rajonit se po ndan islamin nga ideologjia që nxit grupe si Shteti Islamik.

Megjithatë, pavarësisht ndryshimit në retorikë, Trump theksoi se vendet myslimane ndajnë përgjegjësinë në luftën kundër grupeve terroriste që mbulohen me mantelin e islamit.

“Dëbojini ata. Dëbojini nga vendet tuaja të kultit, nga toka juaj e shenjtë. Dëbojini nga ky planet”, tha presidenti Amerikan.

Duke mbështetur komentin e mëparshëm të mikpritësit të tij Mbretit Salman, Trump sulmoi Iranin duke e cilësuar një vend që nxit dhunë dhe sponsor të terrorizmit. Një aleancë e qartë e SHBA me mbretërinë saudite kundër rivalit të saj rajonal që theksohet më së miri nga pakti tregtar prej 350 miliard dollarësh, në të cilin përfshihet marrëveshja më e madhe për shitje armësh në historinë e SHBA.

Top Channel