Kina alarmon CIA-n. Pengon operacionet e spiunazhit

21/05/2017 00:00

Qeveria kineze ka shkatërruar sistematikisht operacionet e spiunazhit të CIA-s në vend, që prej vitit 2010 dhe ka vrarë ose burgosur rreth 20 burime të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës në SHBA.

“New York Times” citon 10 zyrtarë e ish-zyrtarë amerikanë, që e cilësojnë këtë si një prej goditjeve më të rënda për kundërzbulimin në dekada. Ata flasin në kushte anonimiteti.

Në atë që duket të jetë një përpjekje e Kinës për të frikësuar agjentët, një burim u qëllua në kokë përpara kolegëve të tij në oborrin e një godine qeveritare.

Gazeta amerikane pretendon se shërbimet e zbulimit në SHBA dhe agjencitë e zbatimit të ligjit u mobilizuan për parandalimin e dëmeve të tjera, duke nisur një hetim, edhe pse mes tyre ka mosmarrëveshje sa i përket shkaqeve të dështimit të spiunazhit në Kinë.

Brenda CIA-s po zhvillohet një debat i madh lidhur me çështjen. Sipas ish-zyrtarëve amerikanë, të cituar nga “New York Times”, një restorant i përdorur për takimin e burimeve ishte pajisur me aparatura përgjimi dhe kamerierët ishin zëvendësuar me agjentë kinezë.

Hetuesit dyshojnë se, një ish-operator i CIA-s është kthyer në spiun të Kinës, por nuk kanë grumbulluar prova të mjaftueshme për arrestimin e tij.

Top Channel