Arabi Saudite, Trump do të mbajë fjalim mbi Islamin

21/05/2017 00:00

Presidenti amerikan Donald Trump pritet të theksojë nevojën për t’u përballur me ekstremizmin në Islam, në fjalimin që do të mbajë më vonë gjatë së dielës në Arabinë Saudite.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë do të flasë si pjesë e një samiti të udhëheqësve rajonalë, në ditën e dytë të udhëtimit të tij të parë jashtë kufijve, si president.

Trump pritet të zbusë tonet në një përpjekje për të siguruar bashkëpunimin e Arabisë në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik.

Të shtunën, Shtetet e Bashkuara nënshkruan disa marrëveshje tregtare prej 350 miliardë dollarësh me Arabinë Saudite. Mes tyre përfshihej edhe ujdia më e madhe e armëve e arritur ndonjëherë në historinë amerikane, e cila sipas Sekretarit amerikan të Shtetit, Rex Tillerson tha se synonte t’i kundërvihej ndikimit të keq të Iranit, rivalit rajonal të Arabisë Saudite.

Trump shkaktoi polemika gjatë fushatës zgjedhore, duke kërkuar ndalimin e përkohshëm të hyrjes së myslimanëve në SHBA, për shkaqe sigurie. Legjislacioni që synon kufizimin e udhëtimeve nga disa shtete me shumicë myslimane vazhdon të jetë i bllokuar në gjykatat amerikane.

Sipas CNN, i njëjti person që hartoi tekstin e projektligjit për ndalimin e udhëtimeve, këshilltari Stefan Miller ka shkruar edhe fjalimin e Trumpit për Islamin.

Agjencia e lajmeve “Associated Press”, që ka siguruar kopje të fjalimit nga dy burime, bën të ditur se ai e përkufizon ekstremizmin si një betejë mes të mirës dhe së keqes.

Në të kaluarën, miliarderi ka bërë një numër deklaratash kontroverse për Islamin, përfshirë sugjerimet se do të krijonte një bazë të dhënash të të gjithë myslimanëve në Amerikë, duke e lidhur fenë me dhunën. Ai ka kritikuar gjithashtu politikanët e tjerë për mospërdorimin e frazës terrorizmi radikal islamik, një frazë e cila sipas këshilltarëve, të cituar nga mediet amerikane, nuk do të përfshihet në fjalim.

Top Channel