Nju Jork, marinsi përplasi makinën pasi “kishte dëgjuar zëra”

19/05/2017 00:00

Nuk ishte aksident ajo çfarë ndodhi në “Times Square” të enjten. Personi që përplasi makinën e tij mbi një turmë njerëzish, duke vrarë një vajzë e duke plagosur 22 persona të tjerë, pretendon se “kishte dëgjuar zëra”.

Nga sa pohon “Associated Press”, Richard Rojas priste të dilte i vdekur nga kjo ngjarje. Edhe “Reuters” sqaron se, pas prangosjes, i riu është shprehur se “supozohej ta kishin qëlluar”.

“Unë desha t’i vrisja ata njerëz”, citohet të ketë thënë ai. Ish-marinsi 26-vjeçar ishte ndaluar dy herë më parë nga policia, për drejtim të mjetit në gjendje të dehur.

Vajza që humbi jetën ishte 18 vjeç. Ajo quhej Alyssa Elsman dhe kishte ardhur nga Michigani bashkë me familjen për të vizituar qytetin. Motra e saj 13-vjeçare mbeti gjithashtu e plagosur në ngjarjen e rëndë.

Rrugët e “Times Square”-t ishin të mbushura me turistë, kur makina e Rojas u vërsul mbi njerëzit tërësisht jodyshues për atë që do të ndodhte më pas.

Incidenti solli menjëherë në mendje sulmet me makina në Londër, Nice e Berlin, por kryebashkiaku i Nju Jorkut,  Bill de Blasio këmbëngul se nuk bëhet fjalë për një akt me sfond terrorist.

“Lejomëni ta sqaroj edhe një herë. Bazuar në informacionet që kemi në këto momente, nuk ka asnjë të dhënë që të tregojë se gjendemi përballë një sulmi terrorist. Megjithatë, ne i kemi përforcuar me njësi të Antiterrorit të gjitha pikat kyçe, brenda dhe përreth qytetit”, tha Bill de Blasio, kryetar bashkie i Nju Jorkut.

Makina e firmës Honda u përplas te një shtyllë elektriku në kryqëzimin e rrugëve “45” me “Broadway”. Policia beson se, përpara incidentit, Rojas kishte marrë marijuanë sintetike, të njohur ndryshe si K2.

Top Channel