Sulm ndaj shtypit në Bangladesh

18/05/2017 00:00

Mahfuz Anam, redaktori i gazetës “Daily Star” në Bangladesh, ende qesh me shumën e dëmshpërblimeve me të cilat gjykatat e dënuan vitin e shkuar.

“Duhej të paguaja 8 miliardw dollarë”, deklaroi ai, duke shtuar me ironi se mbase e kishin ngatërruar me Bill Gates. Gjatë dy javëve kaotike në shkurt 2016, Anam u padit 83 herë për shpifje dhe nxitje për rebelim për shkak të artikujve të publikuar në gazetë që kritikonin qeverinë.

Shumcia e padive u bënë nga anëtarë të Ligës Awami, partia qeverisëse në Bangladesh. Sipas Awamit, qëllimi ishte që ai të frikësohej dhe të mos guxonte të bënte punën e tij si duhet. Në fakt, puna e tij e pësoi më rëndë, pasi shmangia e burgut dhe përballja me paditë u bë një makth logjistik. Paditë ishin bërë në çdo cep të vendit dhe Anam kaloi javë të tëra duke përshkruar kryq e tërthor vendin për tu paraqitur në gjykata.

Fatmirësisht për të, Gjykata e Lartë e vendit kritikoi paditë ndaj tij dhe i pezulloi ato. Por, Anam ende s’është i qetë, pasi paditësit mund të vendosin të bëjnë të reja apo të apelojnë të vjetrat, ndërsa ai thotë se liria e shtypit është në rrezik serioz. Anam nuk është i vetmi që përballet me një sfidë të tillë, pasi gazetarët dhe redaktorët në Bangladesh nuk i druhen vetëm sulmeve me sëpata nga ekstremistët myslimanë, por edhe shtetit.

Qeveria ka rritur ndjeshëm numrin e padive ndaj shtypit për paragjykim të imazhit të vendit, kërcënim të sigurisë kombëtare dhe lëndim të besimeve fetare. Justifikime kaq të mjegullta ligjore që mund të përdoren në çdo mënyrë për të kufizuar lirinë e shtypit, diçka për të cilën “Amnesty international” ka akuzuar shpesh autoritetet në Bangaldesh.

Top Channel