Tensionet mënjanë, Trump lavdëron Erdoganin si aleat ndaj terrorizmit

16/05/2017 00:00

Presidenti Donald Trump nisi bisedimet me homolgun e tij turk, Recep Tayyp Erdogan, ndërsa mes dy vendeve ka tension për vendimin amerikan për të armatosur luftëtarët kurdë në Siri, gjë që zemëroi Ankaranë, një partner thelbësor i koalicionit të udhëhequr nga SHBA në luftën kundër Shtetit Islamik.

Megjithatë, pavarësisht se çfarë mund të jetë diskutuar pa praninë e medieve, në konferencën për shtyp dy udhëheqësit kishin vetëm fjalë të mira për njëri-tjetrin.

“Popujt tanë kanë qenë miq dhe aleatë për shumë dekada. Ne mbështesim Turqinë në luftën kundër grupeve terroriste, si Shteti Islamik dhe PKK. Me presidentin Erdogan po diskutojmë edhe për përforcimin e lidhjeve tona tregtare”, tha Donald Trump, president i Amerikës.

Në të njëjtin kuadër foli edhe presidenti Erdogan, i cili shmangu temën e armatosjes së kurdëve, që pritej të diskutohej më gjerësisht.

“Ne jemi të vendosur që të zgjerojmë marrëdhëniet tona dhe besoj se vizita ime aktuale në SHBA do të shënojë një kthesë historike. Nuk ka dyshim se fitorja në zgjedhje e presidentit Trump ka zgjuar aspirata të reja, pritshmëri dhe shpresa në rajonin tonë”, tha Recep Tayyip Erdogan, president i Turqisë.

Më herët, gjatë prezantimit të Erdogan para medieve, presidenti Trump nuk shmangu dot temën e nxehtë të momentit në SHBA, pas kërkesave të shumta për shpjegime se përse ndau informacione sekrete me Ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ditë më parë.

Pa hyrë në detaje, Trump tha se takimi me Lavrov ishte shumë i suksesshëm dhe se do të ketë suksese të tjera në vitet në vazhdim, pasi SHBA kërkon sa më shumë partnerë në luftën kundër terrorizmit.

Top Channel