F1, Hamilton sakrifikoi ujin për të mundur Vettelin

16/05/2017 00:00

Pilotët e Formulës 1 humbasin rreth 2 kg nga pesha trupore duke djersitur gjatë një Çmimi të Madh dhe të përfundosh një garë pa pirë fare ujë mund të jetë problem.

Në njëvendëshet e pilotëve ka një lloj ene me ujë ose lëngje. Nëpërmjet një butoni, pilotët nxjerrin nga kjo enë ujin, që shkon nëpërmjet një tubi direkt në kaskë. Këtë enë, në Çmimin e Madh të Spanjës, Lewis Hamilton vendosi të mos e fusë në Mercedesin e tij. Arsyeja? Për të fituar disa të mijëtat për xhiro duke ulur peshën e njëvendëshes.

Më saktë, duke hequr 1 kg të enës së ujit nga Mercedesi i tij, Hamiltoni fitoi 35 të mijëtat për xhiro në krahasim me Vettel.

“Nuk kisha çfarë të pija, pasi doja të ulja peshën e makinës. Duhej të isha sa më i shpejtë të ishte e mundur nëse doja të luftoja me Sebin”, ka thënë britaniku sipas “Bild”.

Ndoshta, pesha e hequr e ujit nuk ndikoi në fitoren e Hamiltonit të dielën, pasi ai me shumë mundësi do e fitonte garën edhe duke pirë ujë, por sigurisht ndikoi në frymëmarrjen e rënduar të tij, që dallohej qartë në çdo komunikim radio.

Lewis Hamilton tregoi se ka ende shumë etje për fitore.

Top Channel