Spanja heq pengesën. Mali i Zi, gati për anëtarësimin në NATO

12/05/2017 00:00

Protokollin e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO e ratifikoi edhe Senati spanjoll, duke hequr kështu një pengesë të madhe drejt përmbushjes së dëshirës së hershme të shtetit të vogël mes Adriatikut dhe maleve.

Pas 1 qershorit hyn në fuqi edhe akti i ratifikimit në Holandë. Me të përfunduar kjo procedurë kombëtare do të pasojë ftesa e Sekretarit të Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, që Podgorica t’i bashkohet aleancës së Atlantikut të veriut.

Qeveria malazeze njoftoi me krenari se po përmbush në këtë mënyrë një prej objektivave prioritare të saj për zhvillimin e një shteti modern dhe demokratik.

Procesi i ratifikimit të protokollit të anëtarësimit nisi qershorin e vitit 2016, ndërsa dy ditë më vonë, shteti i pari që e hodhi një hap të tillë u bë Islanda, e cila përpara një dekade ishte treguar po kështu e para në njohjen e Pavarësisë së Malit të Zi.

Opozita malazeze, ndërkohë, nuk ka lënë shumë hapësirë për kremtime dhe e ka spostuar vëmendjen te një tjetër ngërç, ai i Demarkacionit me Kosovën. Një nga udhëheqësit më të zëshëm opozitarë në vend, Nebojsa Medojeviç i kërkoi ekzekutivit, që për këtë arsye të tërheqë njohjen e Pavarësisë së Kosovës.

Udhëheqësi i Frontit Demokratik prorus u shpreh se, me një lëvizje të tillë, Podgorica do të arrijë të mbrojë interesat e veta kombëtare dhe dinjitetin e vendit. Reagimi i tij erdhi pas dështimit të qeverisë së Isa Mustafës përballë ligjvënësve që mbështetën mocionin e mosbesimit të opozitës.

Një nga arsyet e kësaj disfate ishin pikërisht marrëveshjet e shumëdebatuara të firmosura nga ekzekutivi kosovar në vitin 2015 mbi shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi dhe formimin e komunave me shumicë serbe.

Top Channel