Europa League, sot luhen gjysmëfinalet e kthimit

11/05/2017 00:00

Luhen sot ndeshjet e kthimit të gjysmëfinaleve të Europa League, nga ku do të dalin skuadrat që do të diskutojnë fitoren e treofeut.

Në “Old Trafford”, Manchester United do të presë Celta Vigon, me spanjollët që për herë të parë kanë mundur të sigurojnë gjysmëfinalen në një kompeticion të rëndësishëm evropian. Skuadra e Mourinho do të zbresë në fushën e lojës me avantazhin e ndeshjes së zhvilluar në Vigo, e përfunduar me rezultatin 1-0 pas golit të Rashford. Por jo vetëm kaq, Manchester United njeh vetëm fitore në shtëpi në këtë edicion të Europa League, që e forcon akoma më shumë kandidaturën e kësaj skuadre për të qenë në finalen e Stokholmit. Në krahun tjetër, Celta nuk po jeton momentin e saj më të mirë, pasi vjen pas 5 humbjeve radhazi.

Ndeshja tjetër gjysmëfinale e Europa League është ajo që do të luhet në Francë, mes Lyon dhe Ajax. Skuadra holandeze ka një avantazh të konsiderueshëm, duke qenë se javën e kaluar arriti të fitojë 4-1 ndaj transalpinëve, të cilët këtë radhë duket se do të kenë në formacion sulmuesin kryesor të tyre, Lacazzete. Për më tepër, Lyon do të kërkojë që të regjistrojë fitoren e parë në përballjet ndaj Ajax, ndoshta duke regjistruar përmbysjen e madhe që do ta çojë në finalen e kompeticionit, që do të luhet në 24 maj.

Top Channel