Siri, opozita çliron qytetin strategjik; spostohet ISIS

10/05/2017 00:00

Opozita siriane ka njoftuar se ka marrë nën kontroll një qytet të rëndësishëm në aspektin strategjik, nga duart e militantëve të Shtetit Islamik.

Forcat Demokratike Siriane deklaruan se kishin çliruar tërësisht qytetin dhe një digë që ndodhet pranë tij, e që ndodhet 40 km në perëndim të bastionit të ISIS, Raka.

Luftimet në qytet ishin intensifikuar në javët e fundit, me terroristët që bënë një rezistencë të ashpër me atentatorë vetëvrasës dhe snajpera.

Ata zotëronin lagjet veriore dhe strukturën e digës, për të cilën OKB kishte paralajmëruar për rrezikun nga përmbytjet nëse dëmtohej.

Sidoqoftë, zëdhënësi i FDS, Talal Sello deklaroi se operacionet e njësive janë ende në vazhdim për t’u siguruar që qyteti është pastruar.

Njoftimi vjen një ditë pasi SHBA deklaruan se do të armatosnin grupin sirian Njësitë Popullore për Mbrojtjen e Kurdëve, e cila lufton ISIS.

Vendimi ka acaruar Turqinë, që e konsideron grupin në fjalë si një fraksion të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, PKK, të cilën e cilëson organizatë terroriste. Kjo, pasi PKK ka luftuar për autonominë e kurdëve nga Turqia për tre dekada.

Top Channel