Goleadë dhe tre penallti, Skënderbeu fiton në limite ndaj Vllaznisë

06/05/2017 00:00

Në Korçë Skënderbeut iu desh koha shtesë dhe një penallti në sekondat e fundit për të marrë tri pikët që e mbajnë në garën për titull me Partizanin dhe Kukësin.

Korçarët kaluan vetëm një herë të parët në avantazh, por ishte ajo më e rëndësishmja dhe që vulosi rezultatin 4-3 përballë Vllaznisë.

Shkodranët kaluan që në minutën e pestë në avantazh me anë të Cinarit. Barazimin për korçarët e vendos një shkodrën. Hamdi Salihi shënoi nga pika e bardhë e penalltive në minutën e 39 të takimit dhe pjesa e parë u mbyll në barazim.

10 minuta nga nisja e pjesës së dytë, Vllaznia gjen avantazhin edhe ajo nga pika e bardhë, ku Tafili nuk gabon. Detyrën e vështirë për të rikthyer barazpeshën e merr sërish Salihi, që shënon në minutën e 72.

Por sërish shkodranët, tre minuta më vona arrijnë të gjejnë avantazhin me anë të Bakajt.

Pas këtij goli, presioni i Skënderbeut u shtua në zonën e Vllaznisë, por golin do ta gjente vetëm në minutën e parë shtesë, nga pesë të tilla që dha gjyqtari i takimit.

Por as me barazimin 3-3 korçarët nuk ishin dakort dhe në minutën e fundit, një top i hedhur në zonë devijohet me dorë nga mbrojtësit miq. Karton i kuq dhe 11-metërsh për Skënderbeun ishte vendimi i gjyqtarit të takimit.

Nga pika e bardhë, Latifi nuk gabon dhe sekondat e mbetura nuk mjaftonin për të ndryshuar rezultatin. Skënderbeu fiton 4-3 dhe shkurtën në -1 diferencën nga Partizani dhe Kukësi të vendit të parë. 

Top Channel