Rama në Top Story, Sokol Balla: U formalizua skenari i zgjedhjeve pa PD

27/04/2017 00:00

Kryeministri Edi Rama vjen sonte në emisionin Top Story të drejtorit të informacionit në Top Channel, Sokol Balla, në një moment kulminant politik.

Vetë Sokol Balla komentoi në edicionin qendror të lajmeve zhvillimet me të fundit dhe pritshmëritë nga intervista me Kryeministrin Rama në Top Story.

“Zhvillimet e sotme, në një plan më të gjerë, formalizojnë atë skenar që asnjëri nga ne nuk është optimist; skenari i zgjedhjeve në 18 qershor pa pjesëmarrjen e opozitës dhe nga ana tjetër, formalizimi i kandidaturës së Ilir Metës për President tregon kohezionin që vazhdon mes dy partive të majta dhe pjesëmarrjen e LSI në zgjedhjet e 18 qershorit”, thotë Balla.

“Ky është një moment kritik edhe i opozitës që duhet të bëjë një bilanc të aksionit të saj politik, që sot braktiset nga Ilir Meta dhe ky aksion me bojkotimin e zgjedhjeve po shkon drejt një rruge të panjohur”, vijoi ai.

Sokol Balla komentoi edhe deklaratën e ambasadorit Donald Lu, që tha se “zgjedhjet janë më të mira me pjesëmarrjen e të gjithëve, por zgjedhjet janë të ligjshme dhe legjitime edhe pa opozitën”.

Drejtori i informacionit në Top Channel tha se tani situata bëhet akoma më e komplikuar dhe me më shumë pikepyetje, që do të marrin përgjigjje nga Kryeministri Rama në Top Story në orën 21:00. Balla përmendi lëshimet e mazhorancës për opozitën.

“Përfshirë ministrinë e Brendshme, atë të Arsimit dhe ministritë që potancialisht kanë ndikim në zgjedhje, por nuk ofroi të vetmen kërkesë të opozitës; atë të qeveri teknike pa Edi Ramën. Për këtë do ta pyes Kryeministrin që  mos në fakt, kostoja e gjithçkaje do të ishte më e ulët nëse ai do të dorëzonte postin e Kryeministrit?”, u shpreh Balla.

Top Channel