Turqi, mbytet anija ruse pas përplasjes në brigjet turke

27/04/2017 00:00

Një anije spiune ruse u mbyt pranë bregdetit turk, pas përplasjes me një anije mallrash. Autoritetet turke njoftuan se 78 pjesëtarët e ekuipazhit të anijes “Liman”, pjesë e flotës në Detin e Zi, u shpëtuan.

Shkaku i aksidentit nuk është ende i qartë, por siç mësohet, zona ishte përfshirë nga mjegulla.

Incidenti ndodhi 29 km larg qytezës së Kilyos në Detin e Zi. Anija e mallrave që transportonte bagëti e që mbante flamurin e Togos ka pësuar dëme të vogla.

Kryeministri turk, Binali Yildirim telefonoi homologun e tij, Dmitry Medvedev, për t’i shprehur hidhërimin për ngjarjen, sipas burimeve të cituara nga agjencia e lajmeve “Reuters”.

Flota ruse në Detin e Zi kalon përmes ngushticës së Bosforit për dërgesa në Mesdhe, kryesisht në Siri. E ndërtuar në Gdansk të Polonisë, “Liman” u prezantua në vitin 1970 dhe, para se t’i bashkohej flotës në Detin e Zi ishte pjesë e flotës veriore të ish-Bashkimit Sovjetik.

Top Channel