Duke vazhduar programin e saj të privatizimeve, të diktuar nga huadhënësit e saj, qeveria greke ka mbyllur një marrëveshje të rëndësishme për shitjen e 67% të aksioneve të Portit të Selanikut.

Fituese e tenderit me ofertën më të mirë është një konsorcium i përbërë nga 3 kompani, mes të cilave kolosi gjerman “Deutsche Invest Equity Partners GmbH”, ai francez “Terminal Link SAS” dhe “Belterra Investments Ltd.”, që i përket manjatit greko-rus, Ivan Savidis, njëkohësisht investues i madh në Greqinë e veriut dhe president i klubit të futbollit të PAOK-ut të Selanikut.

Vlera totale e marrëveshjes arrin në 1.1 miliardë euro, në të cilat përfshihet shuma e detyrueshme e blerjes prej 231.9 milionë euro, investimet e detyrueshme prej 180 mln eurosh në 7 vitet e ardhshme, të ardhurat e qeverisë nga koncesionet e ambienteve të punës në port me vlerë prej gati 170 milionë eurosh, dividentët nga pjesa e mbetur e aksioneve prej 7.2%, si dhe vlera e investimeve deri në fund të koncesionit në vitin 2051.

Dosja e tenderit do të dorëzohet në javët e ardhshme në gjykatë për kontrollin para-kontratës dhe, pas miratimit, do të nënshkruhet marrëveshja e shitblerjes së aksioneve. Sipas Athinës zyrtare, ky privatizim shënon një epokë të re për Portin e Selanikut, perspektivat e rritjes ekonomike të Greqisë së veriut dhe të vendit në tërësi.

Shitja e 2/3-tave të aksioneve të Portit të Selanikut vjen menjëherë pas dhënies me koncension për 40 vite të 14 aeroporteve periferike të vendit, ndërsa në listën e aseteve shtetërore për privatizim janë edhe 17 kompani apo prona shtetërore, që presin blerës dhe investues.

Top Channel