La Liga, Real e Barça në luftë të hapur për titullin

25/04/2017 00:00

Real Madrid dhe Barcelona po përgatiten për ndeshje të tjera të rëndësishme në La Liga, edhe pse në botën e futbollit diskutohet ende mbi detajet dhe numrat që dhuroi “El Clasico” e fundit në stadiumin “Santiago Bernabeu”.

Pretendentët për titullin, me pikë të barabarta në renditje, rikthejnë fokusin në kampionat mbrëmjen e së mërkurës.

Për formacionin “merengues”, që doli humbës nga 90-minutëshi epik i finalizuar në mënyrë dramatike me festën e Barcelonës, duhet ende kohë për të thënë fjalën “fund”.

“Tani ndoshta do të thonë që Barcelona po fiton La Ligën dhe Reali nuk vlen asgjë, por nuk është aspak e vërtetë. Çfarë ndodhi në ‘El Clasico’ nuk e ndryshon rrugëtimin tonë. Ishte vetëm një ndeshje me vlerë 3 pikë, por ne ecim përpara. Fati është në duart tona dhe nuk varemi nga askush”, tha trajneri Zinedine Zidane.

Në vigjiljen e ndeshjes delikate të mërkurën në A Coruna të rajonit Galicia, ndaj Deportivos, tekniku transalpin vendosi fokusin vetëm te fitorja në stadiumin “Riazor”. Një mungesë me peshë këtë mesjavë, por jo vetëm, do të jetë edhe Gareth Bale i përndjekur nga dëmtimet.

Nëse koha e rikuperimit do të respektohet, anësori uellsian do të mund të jetë i disponueshëm vetëm për finalen e Champions League në Kardif, më 3 qershor, gjithmonë nëse Reali do arrijë të jetë aty.

Top Channel