E rrëmbeu me një puthje. Dashuria e Macron për 64-vjeçaren

24/04/2017 00:00

Nëse Emmanuel Macron do të arrijë të fitojë “Elizenë”, meritat do të jenë edhe të gruas së tij Brigitte Trogneux, e konsideruar si strategia e fushatës elektorale të të shoqit.

Triumfi i kandidatit të qendrës në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale e ka përqëndruar vëmendjen tek ajo që mund të bëhet së shpejti Zonja e Parë. E kryesisht te historia e dashurisë mes një ish-mësueseje dhe nxënësit të saj.

I apasionuar pas aktrimit dhe poezisë, që në moshën 15-vjeçare Macron kishte simpati të veçantë për mësuesen e tij të letërsisë, atëherë 40 vjeç. Dy vite më vonë do t’i deklaronte hapur dashurinë, duke i thënë se do të martohej me të. Në atë kohë, Brigitte ishte e martuar me 3 fëmijë.

Në një intervistë për revistën “Paris Match”, një vit më parë, Trogneux rrëfeu se pasi Emmanuel u zhvendos në Paris për të ndjekur studimet universitare, ata kalonin orë të tëra në telefon. Pak nga pak, me shumë durim e në një mënyrë të pabesueshme, – siç thotë në një dokumentar televiziv, – djaloshi 24 vite më i ri do t’i tejkalonte me sukses barrierat e vendosura prej saj.

Gruaja tashmë 64-vjeçare u zhvendos në kryeqytetin francez për të qenë pranë tij, duke u divorcuar nga i shoqi. Çifti u martua në vitin 2007 dhe Trogneux, që ka preferuar të ruajë mbiemrin e saj, është shfaqur gjithnjë krah të shoqit në fushatë.

Gjatë një fjalimi muajin e kaluar, ata u puthën në skenë dhe Macron u tha mbështetësve se i detyrohej shumë bashkëshortes, pasi ajo kishte kontribuar për ta shndërruar në njeriun që ishte sot. Ish-ministri ka deklaruar se, nëse do të zgjidhet president, Brigitte nuk do të fshihet pas tij, por do t’i qëndrojë në krah.

Top Channel