Diplomacia sportive, trajnerë amerikanë për të rinjtë shqiptarë

22/04/2017 00:00

Ambasada amerikane në Tiranë nisi zbatimin e programit të ri, Diplomacia Sportive nëpërmjet një aktiviteti të mbajtur tek Pazari i Ri.

I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe vetë ambasadori Donald Lu që mbajti fjalën përshëndetëse duke prezantuar edhe 2 të ftuarat e tij, 2 trajnerët Tiffany Roberts Sahaydak dhe Zola Solamente.

“Ju falenderoj që keni ardhur këtu dhe që jeni gati për të luajtur. Ajo që kërkojmë nga ju në këtë moment është që të jeni të vëmendshëm, të punoni shume dhe të jepni më të mirën, pasi në këtë mënyrë përmirësohet çdo lojtar”, thotë Zola Solamente.

“Dua të falenderoj ambasadorin Donald Lu që na ftoi për të luajtur këtu së bashku me ju. Po kështu falenderoj edhe vullnetarët, trajnerët tuaj që do të punojnë së bashku me ne. Falenderimi shkon edhe për familjarët tuaj që kanë ardhur të shohin e të shijojnë lojën tuaj”, thotë Tiffany Roberts Sahaydak.

Trajneret Tiffany Roberts dhe Zola Solamente do të qëndrojnë në Shqipëri disa ditë dhe do të punojnë me të rinj nga qytete të ndryshme të vendit. Synimi i programit Diplomacia Sportive është t’u mësojë të rinjve drejtimin, punën në ekip dhe mënyrën e komunikimit për të pasur sa më shumë sukses në jetë.

Top Channel