NBA, fiton Cleveland; humb San Antonio

21/04/2017 00:00

Cleveland Cavaliers i afrohet gjithnjë e më shumë raundit të dytë të fazës së “playoff”-it në NBA. Skuadra kampione në fuqi iu imponua sërish Indiana Pacers, duke e çuar në 3-0 rezultatin në serinë e ndeshjeve me këtë skuadër.

Ajo çfarë u pa në parketin e Indianës ishte një çmenduri e vërtetë. Cleveland, në pjesën e parë e pa veten në disavantazhin e 25 pikëve, gjë që la të kuptohet se Indiana po shkonte drejt suksesit të parë me Cavaliers. Por, gjërat ndryshuan në mënyrë drastike në periodën e tretë dhe të katërt, kur skuadra nga Ohajo regjistroi një rezultat të frikshëm 70-40, për të mbyllur edhe këtë ndeshje në favorin e saj.

Ai që shkëlqeu për Cleveland ishte i zakonshmi LeBron James, me 41 pikë, 28 nga të cilat i shënoi pikërisht në dy periodat e dyta të ndeshjes. Me këtë statistikë, “The King” arriti në kuotën e 5669 pikëve të shënuar në “playoff”, duke i marrë vendin e tretë Kobe Bryant në klasifikimin historik të NBA.

San Antonio Spurs dorëzohet ndaj Memphis Grizzlies në ndeshjen e zhvilluar në “FedEx Forum”, por vazhdon të kryesojë serinë e përballjeve 2-1. 105-94 ishte rezultati në favor të Grizzlies, ku ata që shkëlqyen ishin Conley me 24 pikë si dhe Randolph e Marc Gasol me nga 21 pikë secili. San Antonio nuk u duk të ishte në ditën më të mirë dhe Leonard e Aldridge e mbyllën sfidën respektivisht me 18 dhe 16 pikë.

Milwaukee Bucks rimerr kryesimin në serinë e ndeshjeve me Toronto Raptors. Në “BMO Harris Bradley Center”, skuadra e Bucks fitoi thellë ndaj Raptors me rezultatin 104-77. Milwaukee në periodën e dytë mori një avantazh me 27 pikë, një avantazh të cilin e administroi me shumë lehtësi në minutat në vazhdim të sfidës. Për Milwaukee, më i miri në parket ishte Middleton me 20 pikë të shënuara, ndërsa për Toronton spikatën Lowry dhe Wright, me 13 pikë secili, por që ishin shumë pak për të ndryshuar fatin e sfidës.

Top Channel