Nojer mbyll sezoni, dëmtimi e lë 8 javë jashtë fushe

19/04/2017 00:00

Si të mos mjaftonte eliminimi kontrovers nga Real Madrid, rrahjet e tifozëve dhe polemikat pa mbarim ndaj Viktor Kasai, Bajerni i Mynihut vuan një tjetër notë negative nga mbrëmja e makthit në stadiumin Santiago Bernabeu.

Portieri Manuel Nojer ka mbyllur para kohe sezonin pas një dëmtimi në sfidën e Champions. Në aksionin e shtesës së dytë që solli rrjetën e tretë të galaktikëve me Ronaldon, mbrojtësi ekstrem i skuadrës bavareze vuajti një frakturë në këmbën e majtë.

Diagnoza mjekësore për Nojer e mban jashtë fushave për 8 javë, praktikisht sezon i përfunduar para kohe për portierin e kombëtares gjermane.

Manuel Nojer ishte rikthyer vetëm së fundmi në fushë pas një operacioni në këmbë që e bënë të humbë 3 ndeshje të Bundesligës. Dëmtimi i fundit nënkupton që Bajern duhet të mbrojë pa portierin cilësor, avantazhin e 8 pikëve në Bundesligë në 5 ndeshjet e mbetura. Mungesa e Nojer do të sjellë me të gjitha gjasat në formacionin titullar, 28 vjecarin Sven Ulrajh.

Portieri i Bajern do të mund të rikuperohet vetëm për Kupën e Konfederatave me kombëtaren gjermane në 19 qershor në Sochi ndaj Australisë.

Top Channel