Macron, kritika Gjermanisë: Duhet ekuilibër, për të mirën e ekonomisë së BE

18/04/2017 00:00

Emanuel Macron e ka kritikuar ashpër Gjermaninë për suficitin ekonomik, ndërsa kërkon reforma edhe nga Franca. Mesazhi i kandidatit të pavarur presidencial ishte i fortë. Gjermania, sipas tij, duhet të kuptojë se “forca e saj ekonomike, siç është sot, nuk mund të vazhdojë”.

“Berlini është duke përfituar nga mungesa e balancës në Eurozonë dhe arrin suficite të mëdha tregtare. Kjo nuk është e mirë për ekonominë europiane, por as për vet atë të Gjermanisë. Lipset të ketë medoemos një lloj ekuilibri”, tha Emmanuel Macron, kandidat presidencial në Francë.

Kandidati për Elizenë nuk shpjegon se çfarë do të thotë kjo “balancë”, kur dihet se në Eurozonë ekziston tregtia e lirë. Kritika të ngjashme ndaj Gjermanisë janë dëgjuar edhe nga Presidenti amerikan, Donald Trump.

Ndërsa përgjigjja gjermane ishte se, kjo ka të bëjë me cilësinë e prodhimeve vendase, e jo me masat ekonomike apo financiare.

Macron shfaqet si favorit në raundin e parë të presidencialeve më 23 prill, por gara është e ngushtë. Le Pen e ka përshkallëzuar gjithashtu fushatën zgjedhore.

“Po iua them se çfarë është në lojë në këto zgjedhje: është civilizimi! Të dielën, zgjedhja është e qartë: ose një Francë e rilindur, ose një Francë që fundoset. Unë po iu them se qëllimi im është t’iu mbroj dhe veprimi i parë si presidente do të jetë t’i kthej Francës kufijtë e saj”, tha Le Pen.

Raundi i dytë i zgjedhjeve për kreun e shtetit në Francë do të mbahet në datën 7 maj.

Top Channel