Analistët: Turqia, më e përçarë pas referendumit

17/04/2017 00:00

Analistët mendojnë se rezultati i referendumit, jo vetëm që nuk do ta bashkojë Turqinë, siç pretendon Erdogani, por përkundrazi do ta përçajë edhe më shumë atë. Për gazetarin Serkan Demirtas, fakti që rezultati ishte aq i ngushtë ka ekspozuar ndasitë e thella të vendit.

“Mund ta kuptoni se, që tani flitet për një komb tejet të përçarë. Ky ishte një referendum vendimtar për të ardhmen e Turqisë, por përfundimi i tij tregoi se në marrjen e një vendimi kaq të rëndësishëm nuk pati mendje të kthjellta”, tha Serkan Demirtas, gazeta “Hurriyet”.

Demirtas parashikon sfida edhe për Erdoganin dhe partinë e tij.

“Polarizimi, me shumë gjasë do të vazhdojë. Ditë të vështira do të vijnë, si në rrafshin politik, ashtu dhe në atë social”, tha Demirtas.

Fitorja e votës “Po” do të sjellë 18 ndryshime në Kushtetutën e vendit, duke e shndërruar sistemin e qeverisjes nga parlamentar në presidencial. Ato hyjnë në fuqi pas zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të vitit 2019.

Top Channel