Rritet pasiguria në prag të zgjedhjeve në Francë

17/04/2017 00:00

Një javë para raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale në Francë, gjendja është kaq e ngatërruar, sa ka shtyrë edhe presidentin gjerman, Frank-Walter Steinmeier të bëjë një ndërhyrje të kujdesshme. Ai paralajmëron për rrezikun e fitores së populistëve të djathtë, të cilët – sipas tij, – i premtojnë Francës një të ardhme të ndritur, por që në fakt duan ta nxjerrin nga Europa.

Siç pohon “Deutsche Welle”, Berlini po pret duke mbajtur frymën për rezultatin e raundit të parë të zgjedhjeve, nga të cilat varet edhe e ardhmja e Bashkimit Europian. Katër kandidatë pritet të marrin thuajse të njëjtin numër votash në raundin e parë, diçka që nuk kishte ndodhur kurrë më parë.

Avancimi në sondazhe i komunistit të vjetër Jean-Luc Melenchon tregon se, ai mund të vihet përballë populistes së djathtë, Marine Le Pen, në raundin e dytë të zgjedhjeve.

Suksesi i Melenchonit tregon se shumë francezë duan një zgjidhje radikale. Ata duken pak të interesuar për zgjidhje praktike të problemeve të tyre, duke kërkuar një ideologji të fortë, me premtimin për një të ardhme të lavdishme.

Zgjedhësit në të dy ekstremet e shkallës politike janë pjesërisht të ngjashëm: ish-punonjës të zhgënjyer të industrisë, të cilët më parë kanë votuar gjithmonë të majtën; zgjedhës të rinj të zemëruar me politikën e Parisit dhe që nuk duan gjë tjetër veç ndryshimit; si dhe të përjashtuar të shoqërisë, të cilët janë dakord me çdo mesazh radikal që u premton një jetë më të mirë.

Bartësi i shpresave për fqinjët europianë, si dhe për shtresën e re të mesme franceze, është Emmanuel Macron. Ai është i vetmi që kandidon në mbështetje të drejtimit proeuropian të vendit, me një politikë ekonomike progresive-liberale, e cila synon ta reformojë më në fund sistemin e ngurtë francez.

Në fillim, Macron kishte mbështetje të bujshme, ndërkohë qe tani zgjedhësit e tij paraqiten të lëkundur dhe më pak “të vendosur” në sondazhe. Sa i përket François Fillon, ai ka mbështetës kryesisht në fshat, të cilët i qëndrojnë besnikë sepse janë konservatorë të thekur, ose sepse i besojnë kursit të tij reformator “alla Thatcher”.

Top Channel