SHBA, “hacker”-a edhe pas hekurave

12/04/2017 00:00

Një progam pune për të burgosurit në Ohio nuk solli rezultatet e pritura, pasi autoritetet zbuluan se dy të burgosur kishin ndërtuar kompjutera të rinj nga kompjuterat e vjetër që duheshin çmontuar për t’u ricikluar.

Më pas, ata i kishin fshehur kompjuterat e ndërtuar rishtazi në tavanin e sallës mësimore dhe i përdornin pa rënë në sy. Pas gjetjes së kompjuterave, hetuesit zbuluan brenda tyre materiale pornografike, si dhe artikuj apo udhëzime për të krijuar drogë, bomba dhe karta krediti.

Zbulimi u bë fare rastësisht, pasi stafi i burgut vuri re aktivitet të pazakontë interneti në llogarinë e kontraktuesit të programit të punësimit. Rritja e shfrytëzimit të internetit nuk është se alarmoi shumë nëpunësit, por ata vunë re që interneti përdorej edhe në ditët kur kontraktori ishte pushim.

Mediet amerikane shkruajnë se kompjuterat në burg u zbuluan që në vitin 2015, por çështja u bë publike vetëm tani. Autoritetet amerikane nuk dhanë identitentet e dy të burgosurve dhe as nëse ndaj tyre do të merren masa, por theksuan se duhet përforcuar ndjeshëm siguria në burgje, pasi nëse të burgosurit ndërtojnë kompjutera kaq lehtë dhe kanë akses në teknologji, nuk i dihet se ç’mund të bëjnë në të ardhmen.

Top Channel