Senatori amerikan, John McCain, dhe presidenti i zgjedhur i Serbisë, Aleksandar Vuçiç kanë folur para gazetarëve pas takimit që patën në Beograd.

Vuçiç është shprehur se, në takim është folur për tri tema, duke mos anashkaluar Kosovën.

“Së pari folëm për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon. Së dyti për raportet ndërshtetërore, dhe së treti, për pjesëmarrjen e Serbisë në zhvillimet globale. Ne biseduam mbi nevojën që të punojmë sa më shumë në ruajtjen e paqes dhe që të vazhdojë dialogu në Bruksel sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka thënë Aleksandar Vuçiç.

Për dialogun foli edhe senatori amerikan, i cili tha se bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojnë.

“Duhet të keni guxim që dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të vazhdojë”, është shprehur McCain.

Në takim është diskutuar edhe për raportet e Amerikës dhe Serbisë me Rusinë, çështjen e Sirisë, luftën ndaj terrorizmit etj. McCain ishte kandidat për president i Amerikës në vitin 2008, kur u mposht nga Barack Obama.

Top Channel