Sulmi në Suedi, autorit iu refuzua kërkesa për azil

09/04/2017 00:00

Autori i dyshuar i sulmit me kamion ne Stokholm të Suedisë ishte një azilkërkues, kërkesa e të cilit ishte refuzuar e po përballej me procedurat e deportimit.

Lajmin e bën të ditur policia suedeze, sipas së cilës burri njihej për simpatinë e tij ndaj grupeve ekstremiste, veçanërisht për ISIS. 39-vjeçari nga Uzbekistanit dyshohet se përplasi kalimtarët me kamion në një rruge qendrore të Stokholmit ditën e premte.

Ai kishte paraqitur kërkesën për leje qëndrimi në 2014-tën, e cila iu refuzua në qershor të 2016-tës. I dyshuari ishte shpallur në kërkim nga zyrtarët e emigracionit për dëbimin nga vendi.

4 persona humbën jetën në sulm, 2 shtetas suedezë, një britanik dhe një belg, por policia nuk i ka publikuar ende identitetet e tyre. As identiteti i autorit të dyshuar, i arrestuar pas ngjarjes, nuk është bërë ende i ditur.

Policia zbuloi gjithashtu se 5 persona të tjerë janë ndaluar lidhur me sulmin, ndërsa 500 të tjerë janë marrë në pyetje.

Top Channel