Kupa, Skënderbeu mposht minimalisht Teutën

06/04/2017 00:00

Gjysmëfinalja e parë e Kupës së Shqipërisë, mes Skënderbeut dhe Teutës u mbyll me fitoren minimale të korçarëve 1-0, duke shtuar mundësitë për fitimin e trofeut të dytë për nga rëndësia në futbollin shqiptar.

Skuadra vendase vuajti për të gjetur rrugën e golit, në stadiumin e boshatisur për shkak të dënimit nga Komisioni i Disiplinës, dhe mundi të prishë ekuilibrat vetëm në fund.

Kompeticioni i dytë për nga rëndësia në futbollin shqiptar shihet si rrugë shpëtimi për sezonin e Skënderbeut dhe Teutës, por asnjë prej tyre nuk gjeti dot rrugën e rrjetës deri në minutën e 86, kur u regjistrua dhe aksioni kulmor.

Mbrojtësi Kristi Vangjeli shmangu bukur një mbrojtës të Teutës, duke finalizuar me një goditje në cepin e portës së Kastratit. Më parë Salihi kishte arritur të shënonte, por arbitri zhvlerësoi gjithçka për pozicion jashtë loje.

Gjysmëfinalja e kthimit të Kupës së Shqipërisë mes Skënderbeut dhe Teutës do të luhet në stadiumin “Niko Dovana” pas dy javësh.

Top Channel