Kolmar, pritet vendimi për Haradinajn

06/04/2017 00:00

Në gjykatën franceze të Kolmarit pritet të merret sot vendimi për ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili është ndaluar më 4 janar nga autoritetet e Francës me një fletë-arrest të Serbisë.

Mbi bazën e akuzave për krime lufte, Prokuroria Speciale e Serbisë kërkoi ekstradimin e tij. Në një intervistë për “Radio Europa e Lirë”, Haradinaj u shpreh optimist për një vendim pozitiv për lirimin e tij dhe se pafajësia është provuar në procese të mëparshme. 

“Teorikisht ekziston mundësia e vendimit, por në bazë të praktikës së vonesave që kemi parë deri tani, mund të pritet që vendimi të shtyhet edhe për ditë apo javë”, tha Haradinaj.

Kjo seancë, që nisi rreth orës 14:00, në fakt duhet të jetë përfundimtare, pasi prokuroria franceze ka njoftuar se i ka marrë të gjitha dëshmitë që mund të ketë ofruar Serbia për ish-komandantin e Zonës Operative të Dukagjinit.

Mediat kosovare raportojnë se para gjykatës janë shqiptarë të shumtë, të cilët po mbështesin ish-kryeministrin Haradinaj.

Top Channel