Dhëndri i Trump në Irak, pritet nga gjenerali i lartë

03/04/2017 00:00

Dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner po zhvillon një vizitë në Bagdad, për t’u takuar me liderët irakenë për t’u njohur me luftën kundër Shtetit Islamik.

Kushner, që është prej kohësh një këshilltar i afërt i Trump, është takuar me komandantin e trupave amerikane në Irak, Joseph Dunford.

Oficeri i lartë deklaroi se e kishte ftuar zotin Kushner për ta informuar në lidhje me situatën në terren në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Ndërsa një zëdhënës i Kushner tha se, ai po udhëton edhe për llogari të presidentit, për t’i shprehur liderëve irakenë mbështetjen e qeverisë amerikane.

“Gjatë takimeve me zyrtarët irakenë, zoti Kushner do të riafirmojë angazhimin e Shteteve të Bashkuara në luftën kundër ISIS”, tha Greg Hicks.

Kushner, që është bashkëshorti i vajzës së Trump, Ivanka, refuzoi të fliste për mediat në avion, përpara se të mbërrinte në Irak.

Por analisti i BBC, Anthony Zurcher thotë se, në një kohë kur vetë Trump nuk ka qenë në Irak dhe po ashtu as sekretari i Shtetit Tillerson, Kushner është kthyer në “sytë dhe veshët” e presidentit në Uashington dhe në mbarë botën.

“Ai është një person me portofol të palimituar. Çështje delikate ndërkombëtare, reformat ekonomike me biznesin, përmirësimi i shërbimeve për veteranët, lufta kundër vartësisë nga droga dhe të tjera janë të gjitha në listën e detyrave të tij”, thotë Zurcher.

A është zoti Kushner në lartësinë e duhur për bisedime të tilla, kur eksperienca e tij në një funksion publik është tepër e vakët? – pyet analisti.

Presidenti Trump duket se është i këtij mendimi, gjë që ngre dyshime mbi filozofinë e qeverisjes së tij, shton Zurcher.

Top Channel