Partizani merr tre pikë të “arta”

02/04/2017 00:00

Ka përfunduar me fitoren 1-0 të Partizanit, superndeshja e luajtur në “Selman Stërmasi”, ndaj Skënderbeut.

Të kuqtë, me këtë rezultat, rikthehen të ndajnë vendin e parë me ekipin e Kukësit, me nga 55 pikë secila, ndërsa korçarët mbeten në vendin e tretë me 50 pikë.

Ndeshja ishte emocionuese dhe shumë e luftuar që në fillim, duke u karakterizuiar nga ndërhyrje të rënda dhe shumë kontestime për vendimet e gjyqtarit kryesor, Koçi.

Në minutën e 39 Batha shënoi golin për Partizanit, pas një aksioni të bukur të skuadrës së Starovës.

Me këtë rezultat mbyllet pjesa e parë, ndërsa në pjesën e dytë, Skënderbeu bën gjithçka për të gjetur golin e barazimit. Gjithsesi, fati nuk ka qenë me korçarët, të cilët shpërdoruan shumë raste, veçanërisht me Salihin.

Katër minutat shtesë nuk sollën asnjë ndryshim dhe Partizani mori tre pikët, të cilat bëhen shumë të rëndësishme, sepse u fituan përballë një rivali direkt.

Si Partizani, edhe Skënderbeu, janë ekipet që bashkë me Kukësin, do të diskutojnë fitoren e titullit kampion.

Top Channel