Serbia voton. Vuçiç, favorit për President që në raundin e parë

02/04/2017 00:00

Edhe një palë zgjedhje për të ardhmen e Serbisë. Kryeministri i deritanishëm Aleksandar Vuçiç, me të bijën që në mëngjes në qendrën e votimit. Personazhi kryesor i zgjedhjeve, fitorja e të cilit pritet, tha se Serbia më të rëndësishmen e ka stabilitetin.

“Shpresoj të kemi stabilitet dhe një sukses ekonomik. Do ta mbështes qeverinë dhe shpresoj se askujt nuk do t’i bjerë ndërmend ta destabilizojë vendin”, tha Vuçiç.
 
Zgjedhjet në Serbi, në mes të frikës nga tensionet në rajon, kërcënimet e zgjedhjet e vështira që ky shtet ka. Në të njejtin ton është edhe Ivica Daçiç, shef i diplomacisë serbe, i cili voti me bashkëshorten: “Secili popull kërkon atë që nuk e ka. Botës, e sidomos këtij rajoni, i mungon stabiliteti dhe shpresoj se këto zgjedhje do t’ia sjellin atë”.
 
Por, paksa më ndryshe e sheh ditën e zgjedhjeve dhe efektin që do të ketë në të ardhmen, ish-Avokati i Popullit, Sasha Jankoviç: “Kjo është një ditë e rëndësishme që t’ia kthejmë popullit buzëqeshjen për një politik të re dhe dinjitet”.
 
Votën e tij e ka dhënë edhe kandidati satirik me emër fals, i njohur si Belli: “Besoj në fitore që në raundin e parë. Votoni më të mirin dhe përfundimisht unë jam më i miri”.
 
Serbët kanë zgjedhje shpesh, por duket se gjithçka e kanë të qartë pavarësisht votës së tyre. Vitin e kaluar kishte zgjedhje parlamentare dhe kjo i dha edhe një mandat qeverisë së Vuçiçit. Por, pozita e re mund të sjellë pushtet të ri.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel