Diferenca 10 pikëshe, Conte shmang euforinë: Futbolli, plot me surpriza

31/03/2017 00:00

Edhe rivalët kryesorë të Chelseat në kampionatin anglez, Premier League, po dorëzohen nga java në javë në betejën për titullin, por trajneri i skuadrës londineze, Antonio Conte garanton se futbolli ka plot surpriza dhe se duhet ende rrugë për kampionatin.

Plot 10 pikë avantazh ka formacioni i “bluve” të Londrës ndaj ndjekësve, kur duhen edhe 10 ndeshje nga fundi i sezonit. Tekniku italian kërkon që të ruhet përqëndrimi, pasi diferenca është krejtësisht e kalueshme.

“Futbolli është i çuditshëm e shpeshherë plot me surpriza. Në eksperiencën time, në këtë lojë kam fituar shumë, por kam humbur edhe më tepër sesa kaq. Ndaj dua të mbaj këmbët në tokë, pasi do të ketë rëndësi për pjesën e mbetur”, tha trajneri italian.

Chelsea i Contes ka humbur vetëm 3 herë këtë sezon dhe është favorit edhe të shtunën, në përballjen ndaj Cristal Palace.

“Kemi ende 10 ndeshje deri në fund të Premier League dhe asnjë nga kundërshtarët tanë nuk mund ta pranojë që Chelsea është kampion. Do të jetë e vështirë edhe ndaj Cristal Palace, pasi lufton për mbijetesën. E kujtoj shumë mirë fitoren e vuajtur 1-0 ndaj këtij ekipi, që ka lojtarë të mirë”, tha trajneri i Chelseat.

Top Channel