Protestat e opozitës kanë nisur në Venezuelë, ndërkohë që presioni i jashtëzakonshëm i jashtëm është rritur gjatë kësaj të premteje pasi një gjykatë mori frerët e Kongresit, veprim që shumëkush e konsideron si një kthim në diktaturë nga qeveria e majtë, që përballet me një rënie drastike të popullaritetit.
“Ne nuk do të pranojmë uzurpimin e Gjykatës Supreme”, thanë një grup studentësh në Karakas, të cilët marshonin drejt tribunalit më të lartë të kombit, që mori mbi vete funksionet e Asamblesë Kombëtare të udhëhequr në shumicë nga opozita.
Protestuesit bllokuan edhe një autostradë kryesore të Karakasit, demonstratë me të cilën u bashkua edhe ligjvënësi opozitar Miguel Pizarro. “Ne nuk duhet të dorëzohemi, as të ndalemi. Ne duhet të kërkojmë të drejtat tona”, tha ai.
Duke hedhur poshtë shumicën e masave të Asamblesë Kombëtare, që kur opozita mori kontrollin e saj në vitin 2015, gjykata pro Maduros njoftoi gjatë kësaj jave se do të merrte funksionet e legjislativit, për shkak se ky i fundit ishte në shkelje të ligjit.
Armiqtë politikë të irrituar të presidentit Nicolas Maduro e akuzojnë atë se po ndërmerr një “grusht shteti” ndaj trupës qeverisëse të zgjedhur nga populli. Maduro, 54 vjeç, një ish-shofer autobusi dhe i vetëdeklaruari “djalë” i paraardhësit të ndjerë majtist, Hugo Chavez, u zgjodh me një diferencë të ngushtë votash në vitin 2013.
Gjykata refuzoi gjithashtu dënimin dhe shqetësimin e Shteteve të Bashkuara, Organizatës së Shteteve Amerikane (OAS), Bashkimit Europian, vendeve kryesore të Amerikës Latine dhe zyrtarëve të lartë të OKB-së për të drejtat e njeriut. Vetëm Rusia aleate shkeli trendin përmes një deklarate të së premtes, ku i bënte thirrje botës ta linin të qetë Venezuelën.
“Forcat e jashtme nuk duhet t’i hedhin benzinë zjarrit, në konfliktin e brendshëm të Venezuelës”, thuhej në të. “Ne jemi besimplotë ndaj parimit të mosndërhyrjes në çështjet e brendshme të vendeve të tjera”.
Top Channel