Merkel për Britaninë: Po humbim një partner të fuqishëm

31/03/2017 00:00

Me qasjen e ashpër ndaj largimit të Britanisë së Madhe, blloku europian kërkon të tregojë se nuk do të jetë e lehtë përsëritja e një veprimi të tillë të paprecedent.

Por, Angela Merkel sërish shprehu keqardhjen për vendimin e Londrës, që të mërkurën vuri në lëvizje mekanizmin e shkëputjes. Ne po humbim një partner të fuqishëm dhe të rëndësishëm në BE, deklaroi kancelarja në Berlin, por shpresoj të mbetet në vazhdimësi një partnere e ngushtë. “Për shumë njerëz në Evropë, dalja e Britanisë së Madhe nga blloku lidhet me shqetësimin për të ardhmen e tyre”, shpjegon Merkel, e cituar nga “DW”.

Kancelarja thotë se nga Brexit-i nuk duhet të humbasin qytetarët e Bashkimit Europian. Deri tani, megjithatë, ende nuk është bërë e qartë se në çfarë kushtesh do të jetojnë shtetasit e vendeve të BE-së në Londër. Merkel shpreson se BE dhe Britania e Madhe do të jenë shumë konstruktivë dhe të drejtë gjatë negociatave të ardhshme dhe uron që kjo korrektesë të jetë prezente nga të dyja palët.

Vetë kryeministrja britanike Theresa May ka theksuar në një koment për gazetën “Frankfurter Allgemeine Zeitung” se, pas shkëputjes, vendi i saj do të vijojë të ketë raporte shumë të ngushta me Gjermaninë.

Top Channel