Lidhjet Trump-Rusi dhe ndërhyrja kibernetike, Senati premton hetim bipartizan

30/03/2017 00:00

Krerët e Komitetit të Inteligjencës në Senatin amerikan u zotuan bashkërisht se, hetimi i tyre për sulmet kibernetike ruse ndaj fushatës elektorale amerikane të 2016-s do të jetë bipartizan, një koment në kontrast të plotë me mosmarrëvëshjet që rrethojnë një hetim të ngjashëm në Dhomën e Përfaqësuesve.

Senatori republikan Richard Burr dhe ai demokrat Mark Warner thanë në një konferencë të përbashkët për shtyp se, hetimi do të jetë gjithëpërfshirës. Repubklikani Burr shtoi se, pavarësisht krahut politik, të gjithë në SHBA janë në shënjestër të një kundërshtari të sofistikuar dhe shumë të aftë.

Richard Burr, i cili është edhe kreu i Komitetit të Inteligjencës, tha se paneli që ai drejton nuk do t’i shmanget të vërtetës dhe hetimi do të shkojë kudo që çojnë informacionet e inteligjencës.

Në të njëjtin kuadër, senatori demokrat Warner tha se Rusia u përpoq të grabiste procesin demokratik të zgjedhjeve, përmes një fushate keqinformimi në mediet sociale, që sipas tij ishte propagandë ruse me steroide.

Në seancat dëgjimore, që nisën formalisht të enjten, do të dalë edhe dhëndri i presidentit Trump e këshilltari i tij i afërt, Jared Kushner, i cili pranoi vullnetarisht të merrej në pyetje.

Mes të tjerëve që janë thirrur nga komiteti është Keith Alexander, ish-drejtori i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë, e njohur edhe me siglën “NSA”. Veç premtimit për një hetim transparent, dy senatorët thanë se duan që të vënë në dukje sa më shumë, edhe ato që quajtën “përpjekjet ruse për të ndikuar” në zgjedhjet e ardhshme në Francë dhe Gjermani.

Top Channel