Serbët do të votojnë të dielën për presidentin e ri, në ato që shihen si sprovë për popullaritetin e kryeministrit aktual, Aleksandar Vuçiç, i cili mbetet kandidati kryesor.

Çështja kryesore që shtrohet nga vëzhguesit është nëse ai do të fitojë në raundin e parë, e nëse jo, kush mund të jetë sfiduesi dhe figura e re e mundshme që do të konsolidonte opozitën e fragmentuar.

Analisti i “Qendrës për Zgjedhje të Lira e Demokratike”, Bojan Klaçar thotë për “Zërin e Amerikës” se gjërat varen nga pjesëmarrja në votime.

“Aleksandar Vuçiç kryeson bindshëm me 50 për qind të votave dhe ka mundësi të fitojë që në raundin e parë. Çelësi është te pjesëmarrja në zgjedhje. Nëse ajo i kalon 4 milionë mund të ndodhë që të ketë edhe një tjetër raund”, tha ai.

Sondazhet e fundit, si ai i agjencisë “Faktor Plus” i publikuar nga e përditshmja serbe “Blic” më 25 mars, lënë të kuptohet se Vuçiç mund të fitojë 53.3 për qind të votave. Opozita e rimëkëmbur ka pak shpresë, përveç se të sfidojë Vuçiçin në raundin e dytë.

Meqë nuk pati kompromis për një kandidat të përbashkët, Vuçiç do të përballet me 11 prej tyre. Pretendenti kryesor rezulton të jetë ish-Avokati i Popullit, Sasha Jankoviç, i cili sipas sondazheve mund të fitojë 15.1 për qind të votave. I treti në radhë është ish-diplomati i lartë i Serbisë dhe presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Vuk Jeremiç, me 8.6 për qind.

Të dy mbështeten nga elementë të ish-frontit kundër Slobodan Milosheviçit në vitet ’90.

Top Channel