Shqipëri-Bosnje, ndryshime të mëdha në formacionin kuqezi

28/03/2017 00:00

Të paktën 5 ndryshime pritet të ketë formacioni i Shqipërisë në ndeshjen e miqësore ndaj Bosnjës në orën 18:00 të ditës së sotme krahasuar me ndeshjen ndaj Italisë, ku u mundën 2-0.

Në “Elbasan Arena”, në portë pritet të rikonfirmohet Thomas Strakosha. Trajneri po mendon t’i japë vazhdimësi aktivizimit të talentit të Lazio-s, ndërsa Etrit Berisha mund ta shohë sfidën nga stoli, me thirrjen në skuadër që shërben edhe si një shembull i unitetit brenda grupit kuqezi.

Ndryshime ka në mbrojtje, me Kukelin që do të qëndrojë në qendër në rreshtimin 5-4-1, përkrah të konfirmuarit Veseli dhe befasisë Albi Alla. Mbrojtësi i Kukësit, që ka qenë një prej elementëve më të spikatur në kampionatin shqiptar, pritet të jenë titullar në vend të Arlind Ajetit, të cilin De Biasi mendon ta mbajë pushim, për të evituar dëmtime nga mbilodhja pas ndeshjes në Palermo.

Elseid Hysaj do të luajë në të djathtë dhe në mungesë të Ansi Agollit do të ketë shiritin e kapitenit. Në krahun e majtë do t’i jepet hapësirë aktivizimit të Alijit, edhe sepse stafi i Kombëtares kërkon të marrë sinjale për lojtarin që do të mbulojë këtë rol në sfidën e Qershorit në Izrael, ku Agolli është i pezulluar.

Në mesfushë nuk ndryshon asgjë në qendër, ku Basha dhe Memushaj do të drejtojnë manovrat e Kombëtares, ndërsa gjithçka pritet të ndryshojë nga krahët, ku hapësira do t’i jepet Jahmir Hykës dhe Azdren Llullakut. Dy sulmuesit anësorë do të jenë në mbështetje të Bekim Balajt, në një rreshtim që nga 5-4-1, me daljet nga krahët të Hysajt dhe Alijit shndërrohet në skemën ofensive 4-3-3.

Gjatë miqësores me Bosnjen, që ka në kontingjent yje si Edin Dzeko dhe Senad Luliç, De Biasi do të eksperimentojë edhe me skema dhe lojtarë, ndoshta për të aktivizuar Latifin e Grezdën që luajtën ndaj Italisë, por edhe Afrim Takun dhe Keidi Baren të afruar së fundmi në ekip.

E vetmja garanci është që në pjesën e dytë në portë, Strakosha do t’ia lejë vendin Alban Hoxhës, ndërsa dyshime ka për gjendjen e Armando Sadikut. Sulmuesi ka pësuar një goditje në pjesën e pasme të kofshës dhe u la pushim në stërvitjen e fundit të Kombëtares, si masë parandaluese. Gjendja e Sadikut do të vlerësohet edhe pak orë përpara ndeshjes, për të marrë një vendim përfundimtar nëse bomberi elbasanas do të jetë i gatshëm për të zbritur në fushë.

Top Channel